Ish-ylli i Fenerbahces, Elvir Baljic, ka kritikuar taktikat e trajnerit Jose Mourinho dhe e ka akuzuar atë se e ka shkatërruar skuadrën. 

Ish-sulmuesi i Fenerbahces dhe Real Madridit, Baljic, ka akuzuar veteranin portugez se ka shkatërruar gjigantin turk për shkak të egos së tij, teksa ka kritikuar taktikat e trajnerit pas disfatës së pësuar ndaj Besiktasit me rezultat 1-0 të dielën. 

Ai gjithashtu kërkoi nga Fenerbahce që të ndajnë rrugët me Mourinhon në fund të sezonit. 

“Nuk mendoj se Jose Mourinho është një trajner i mirë. Në fakt, ai është një trajner i tmerrshëm dhe po bën shaka me ne”. 

“Ai na ka befasuar neve sërish me formacionin titullar para ndeshjes. A mund të ketë ai taktika të tilla, preferenca të tilla për lojtarët? Kjo quhet shaka”. 

“Ai nuk mund ta shkatërrojë një skuadër kështu me egon dhe arrogancën e tij. Më falni, por ai ka bërë gjëra qesharake”. 

“Ju lutem mos vazhdoni me këtë njeri. Unë nuk kam më respekt për Mourinhon dhe sa i përket lojtarëve, dua t’iu them një gjë: kampionati mund të humbet, por të mos luftoni në një ndeshje si kjo. A pati Fenerbahce ndonjë taktikë? A luajtën ata”, përfundoi Baljic. 

Humbja që pësoi Fenerbahce bëri që Galatasaray të marrë një avantazh të madh në garën për titull në Superligën e Turqisë. 

Galatasaray tashmë është vetëm dy fitore larg për të siguruar titullin kampion në elitën e futbollit turk./Telegrafi/