Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia ka nisur punën për vitin e ardhshëm. Ashtu si çdo herë, edhe për sezonin e ardhshëm, pritshmëritë janë të mëdha. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ish-trajneri Ervis Kraja vlerësoi atë që bënë kuqeblutë, ndërsa ka besim tek ndërtimi i një skuadre pretendente vitin e ardhshëm. Në intervistën e tij, ai kishte edhe një këshillë për shkodranët. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Kraja, si ishte ky vit për Vllazninë?

Mund të them vit i suksesshëm.

-A ishte ky maksimumi i skuadrës apo mund të bëhej më mirë në ndeshjen finale?

Ekipi ka marrë maksimumin, edhe pse të gjithë dëshironim shumë që atë finale ta fitonim, por duhet të jemi realist. Egnatia ka pasur ekipin më të mirë se ne.

-Në krye të Vllaznisë ka ardhur një trajner shkodran si Edi Martini, ndërsa pozicioni i drejtorit është akoma vakant, si e shikon?

Me ardhjen e Martinit mendoj që është viti i Vllaznisë. Martini është një trajner shkodran me mentalitet fitues, me një përvojë disa-vjeçare dhe besoj se ishte zgjedhja më e mirë. Unë mendoj se Martini do mundohet me mish e me shpirt që Vllaznia të jetë aty, ku duan të gjithë tifozët, me lojë të bukur, sulmuese dhe me rezultate që në fund do kënaqemi të gjithë. Ndërkohë, sa i takon drejtorit, mendoj që edhe ai duhet të jetë shkodran.

-Çfarë prisni nga Kupat e Evropës?

Tani duhet të mendojmë që skuadra të përforcohet me futbollistë cilësorë që të përfaqësohemi sa më mirë në Evropë dhe po kjo
skuadër të jetë edhe në kampionat, jo si çdo vit që skuadra të ndërtohet pas Evropës.

-E prisni një sezon më të vështirë, duke parë edhe ekipet që po ngjiten?

Unë pres një sezon të mirë nga Vllaznia.

-E fundit, keni një këshillë për skuadrën gjatë merkatos dhe sezonin që i pret?

E thashë edhe më lart, pres një sezon të mirë nga Vllaznia. Pres një ekip luftarak, ekip cilësor dhe një ekip kampion, sepse ka vite që Edi Martini pret të jetë trajner i Vllaznisë dhe them që do punojë me mish e me shpirt për skuadrën tonë. I uroj suksese Vllaznisë dhe Martinit. I them të gjithëve ta mbështesim Martinin, sespe ne shkodranët kemi pak xhelozi për njëri-tjetrin, por këtë herë për të mirë të Vllaznisë, të jemi që në fillim të gjithë së bashku.(www.shkodrasport.com)