Ish-ylli i Bajernit Markus Babel ka komentuar së fundmi për klubin e tij të dikurshëm dhe trajnerin aktual, Vinsent Kompany. Qendra e kritikës: mënyra se si Kompani po trajton talentet e reja.
Ish-profesionisti i kampionëve rekord të Gjermanisë (me 261 paraqitje) u shpreh në një intervistë në lidhje me minutat e pakta të lojës për lojtarët e rinj gjatë Kupës së Botës për Klube: “Kjo është diçka që aktualisht nuk më pëlqen aspak”.
Kampioni europian gjerman i vitit 1996 megjithatë e vlerëson punën e Kompani: “Vinsent Kompani ia ka dalë të qetësojë ekipin. Ata patën dy vite shumë të vështira me Julian Nagelsman dhe Tomas Tuhel. Dhe Kompani solli qetësi, i çoi drejt titullit kampion në Gjermani dhe bëri një punë vërtetë të shkëlqyer”. Por fakti që talente premtues si Lenart Karl (17) morën kaq pak minuta në Kupën e Botës për Klube e shqetëson legjendën bavareze.
“Ajo që nuk më pëlqen fare është se ai nuk ka guximin të përfshijë lojtarët e rinj. Kupa e Botës për Klube ishte mundësia ideale për këtë. Kur luan kundër ekipeve si Aukland, mund t’u japësh hapësirë të rinjve, t’u japësh skenën për të treguar veten. Po flasim për talente që kanë cilësi. Nuk janë lojtarë të rastësishëm! Nuk e fut dikë në fushë thjesht sepse fitoi një short apo se i erdhi rasti të luajë me profesionistë. Këta janë disa nga futbollistët më të mirë të rinj në Gjermani, madje edhe në Europë. Por askush nuk po arrin të dalë në pah”, tha Babel.
Këtë zhgënjim e përjetoi edhe mbrojtësi i majtë Adam Aznou (19). Marokeni ishte kthyer posaçërisht më herët nga huazimi i tij gjashtëmujor në Valadolid për të qenë pjesë e Bajernit në Kupën e Botës për Klube. Përkundër sakrificave, Kompani i dha Aznout vetëm tetë minuta lojë kundër Auklandit. Ish-lojtari i Bajernit përfundon: “Bajerni investon aq shumë para në akademi, sa që të mos ketë asnjë lojtar të aftë për ekipin e parë, kjo nuk më bind. Thjesht të duhet një trajner, një menaxher dhe një drejtim që ka guximin të fusë në lojë edhe lojtarët e rinj”.