Dinamo po punon me mjaft intensitet për të përforcuar ekipin me lojtarë të rinj. Një nga objektivat e bluve ishte edhe Drilon Islami, i cili së fundmi është prezantuar te skuadra rumune e Kluzh, që këtë sezon fitoi Kupën e Rumanisë.
Islami luan si mesfushor qendre, teksa rol natyral ka pozicionimin para mbrojtjes si numër “6”. Në sezonin e fundit me Prishtinën ai luajti në 25 ndeshje, duke shënuar 1 gol dhe duke dhuruar 2 asiste.
Madje 24-vjeçari ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te bardheblutë e kryeqytetit. Ai e ka nisur karrierën te Ferizaj, teksa ka provuar të luajë edhe në Gjilan me Dritën. Prej dy sezonesh ishte pjesë e Prishtinës dhe qe lojtar kryesor i bardhebluve.
Me rumunët, mesfushori shqiptar i Kosovës, ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, pra të vlefshme deri në qershor të vitit 2026.