Media britanike ka goditur ashpër futbollin italian, duke e quajtur Serinë A një “kampionat për të moshuar”. Shkak për këtë është bërë afrimi i emrave të mëdhenj si Luka Modrić dhe Kevin De Bruyne, të cilët në një moshë të avancuar kanë vendosur ta vazhdojnë karrierën në Itali, përkatësisht te Milani dhe Napoli. Por, më shumë se për vlerat e tyre teknike, vëmendja është përqendruar te mosha.

Sipas ‘The Guardian’, Modrić që do të mbushë 40 vjeç në shtator, e konfirmon këtë prirje. “Ka luajtur mbi 900 ndeshje, ka fituar shtatë kampionate dhe gjashtë Champions League, ka fituar edhe Topin e Artë, por në vend që të tërhiqej me lavdi, ai zgjodhi Milanin. Seria A është kthyer në strehën ideale për lojtarë të moshuar, megjithëse ende të aftë”, shkruan gazeta britanike.

Shifrat e konfirmojnë fenomenin: mosha mesatare e lojtarëve në Serinë A është 14 muaj më e lartë se ajo e 31 kampionateve kryesore europiane. “Italia është kthyer në vendin e veteranëve. 37-vjeçari Acerbi dhe 36-vjeçari Mkhitaryan janë ende titullarë tek Interi, ndërsa De Roon (34) vazhdon të jetë lideri i mesfushës së Atalantës. Edhe Cuadrado (37) është ende aktiv”, vijon analiza.

Ndërkohë, në Premier League ka një rritje me 32% të lojtarëve nën 23 vjeç që luajtën mbi 900 minuta në sezonin e fundit. Britanikët vënë në dukje se përmirësimet në mjekësinë sportive dhe stilin e jetesës po i zgjasin karrierat ‘yjeve’, por kjo nuk justifikon mungesën e investimeve te të rinjtë.

Në përfundim, ‘The Guardian’ thekson se ndërsa kampionatet si Bundesliga modernizohen me trajnerë të rinj dhe modele të avancuara loje, dhe La Liga ruan El Clasico-n, Italia ka humbur statusin elitar të viteve ’80 dhe ’90. “Seria A mbetet një ligë me emra të mëdhenj, por që e kanë kaluar kulmin. Një kampionat më i ngadaltë, ku veteranët gjejnë shansin për të shkëlqyer edhe një herë.”