Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle ‘Marca’, Rodrygo Goes i ka komunikuar Real Madridit dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi në fund të këtij sezoni. Sulmuesi 24-vjeçar brazilian e sheh largimin si hapin më të mirë për zhvillimin e tij profesional, veçanërisht pas ardhjes së Kylian Mbappé-së dhe rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të Vinícius Júnior, të cilët kanë kufizuar ndjeshëm hapësirat e tij në fushë.

Një prej klubeve që po ndjek me vëmendje situatën e Rodrygos është Chelsea. Sipas revistës ‘Forbes’, klubi londinez kishte bërë një ofertë prej 110 milionë dollarësh për brazilianin që në dhjetor të vitit 2023, por ajo ishte refuzuar nga Real Madridi. Megjithatë, interesimi i Chelsea-t nuk është zbehur dhe anglezët janë të gatshëm të rikthehen me një tjetër ofertë të rëndësishme për ta transferuar futbollistin në ‘Stamford Bridge’.

Rodrygo është i lidhur me Real Madridin me kontratë deri në vitin 2028, por pakënaqësia e tij në rritje për rolin gjithnjë e më dytësor nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t mund ta shtyjë drejt një aventure të re. Tashmë, drejtuesit e klubit madrilen do të duhet të peshojnë seriozisht ofertat që do të vijnë pas përfundimit të sezonit, duke marrë në konsideratë si aspektin financiar, ashtu edhe ndikimin sportiv që do të kishte largimi i tij.

Gjatë sezonit aktual 2024-2025, Rodrygo ka regjistruar 13 gola dhe 10 asistime në 50 paraqitje, duke dëshmuar ende se është një lojtar me rendiment të lartë, pavarësisht minutave të pakta.