Nuk mund të mungonin lëvdatat. Sporti, pra edhe futbolli, janë pazgjidhshmërisht të lidhur me mediat, gazeta, revista radio e televizione, dhe suksesi I Çelsit në Botërorin e Klubeve u përcoll për miliarda banorë të Tokës në mënyrë triumfale.
“Kurrë nuk kemi parë një skuadër t’ia bëjë PSG-së diçka të tillë, – komenton BBC britanike, – si ia doli Çelsi dhe çfarë bëri Enzo Mareska që fituan Kupën e Botës për Klubet?!
“Gardian” ka titull më ceremonial: Çelsi trondit PSG-në për të fituar Kupën e Botës për Klubet, pas dygolëshit me klas të Koul Palmerit!
“Deili Meil” merret më shumë me skandalin e Donald Trampit, që iu duk vetja si kampion I botës dhe pengoi lojtarët të festonin fitoren e trofeut, me Palmerin që duket se e shau I nervozuar!
E përditshmja prestigjioze sportive e Parisit, “L’Ekip” ia jep kopertinën kombëtares së futbollit të femrave, ndërsa katastrofa e PSG-së mori vetëm cepin e sipërm të majtë: Paris, goditje e bluve!
Ja edhe “Lë Mondë”: Çelsi shkatërron ëndrrat e një PSG-je të shpërfytyruar në finale! Kampionët e Europës u rrëzuan nga mbretërit e rinj të botës!
“Lë Parizie” nga kryeqyteti ngushëllon kampionët e mundur: Faleminderit në çdo rast! Parizienët u fshinë në finalen e Botërorit të Klubeve, por kjo nuk e njollos sezonin e tyre të shkëlqyer!
E përditshmja sportive e Madridit, “AS” titullon: Planet I Kaltër! Palmer me një gol e një asist e bën Çelsin kampionin e parë të botës! Robert Sançez, një mur për PSG-në!
“La Gazeta delo Sport” natyrisht veçon trajnerin italian: PSG dominohet! Çelsi I Mareskës është kampion me super Palmerin dhe Zhoao Pedron!
Ja edhe titulli I tabloides gjermane “Bild”: Eleganti Palmer flak jashtë PSG-në! Dush I ftohte në finale!
“Klarin” nga Argjentina lumturohet për një nga yjet “gauços”: Enzo Fernandez është kampion I botës edhe për klubet! Lumturia ishte për anglezët!
Ja edhe jehona nga Brazili, me të përditshmen sportive “O Globo” që shkruan: Çelsi shtang PSG-në dhe fiton Botërorin! Dy gola nga Palmer, dhe një nga braziliani Zhoao Pedro!