Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia po mundohet të jetë aktive në merkaton e verës, duke synuar përforcimin e skuadrës në çdo repart për ndeshjet e Kupave të Europës. Burime për “Shkodra Sport” bëjnë me dije se klubi kuqeblu ka shfaqur interes edhe për mesfushorin portugez Paulo Estrela, i cili aktualisht është pjesë e Skënderbeut, për ta afruar në formë huazimi për dy ndeshjet e Kupave të Europës me Vikingur.

Megjithatë, pavarësisht dëshirës së madhe për ta afruar në Shkodër, ardhja e tij nuk mund të konkretizohej për arsye rregullash. Futbollisti ka luajtur më parë këtë sezon me ekipin e Portimonense para se të transferohej te Skënderbeu, ç’ka e bën të pamundur që ai të rregjistrohet për një skuadër të tretë brenda të njëjtit vit kalendarik, sipas rregullores së FIFA-s.

Kështu, për momentin, Vllaznia ka hequr dorë nga pista e mesfushorit Paulo Estrela, edhe pse profili i futbollistit në fjalë përputhej me kërkesat e trajnerit Edi Martini dhe nevojat e skuadrës.

Gjithsesi, drejtuesit vazhdojnë të jenë aktive në merkato për të përforcuar ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme për pjesëmarrjen në Europë dhe sezonin e ri të Superiores.