Nga Endri ÇINARI

Një synim i Vllaznisë për merkaton e kësaj vere është afrimi i një mesfushori me tipare sulmuese dhe kreative. Duke parë edhe largimin tashmë të konfirmuar të Amir Kahrimanoviç, ky pozicion ka ngelur “vakant” në rradhët e kuqebluve. Për këtë arsye, drejtuesit shkodranë po studiojnë tregun vendas dhe mundësitë për të afruar një futbollist që mund të bëjë diferencën.

Sipas asaj që mësohet është kërkuar informacion për Arbin Zejnullain, mesfushorin që mbylli aventurën e tij para pak ditësh në rradhët e Egnatias. Dhe tashmë 26-vjeçari është një futbollist i lirë, pavarësisht se momentalisht duket e vështirë për të arritur tek tetovari. Duke parë kërkesat ekonomike që ai pretendon, por edhe synimin e tij për të luajtur jashtë Superligës shqiptare. Ku interesimi në drejtim të tij nuk mungon në këto momente.

Megjithatë një tjetër futbollist i cili është sygjeruar në ambientin e futbollit kuqeblu është edhe Saleh Nasr. Mesfushori që e mbylli sezonin në Superiore me 11 gola të shënuar, i cili pas rënies së Skënderbeut në Kategorinë e Parë nuk pritet të qëndrojë në Korçë.

Një element të cilin trajneri Martini e njeh sepse e ka pasur në ekip gjatë gjysmës së sezonit të shkuar tek Teuta. Emrat për momentin janë të shumtë që qarkullojnë tek Vllaznia dhe për një lëvizje konkrete duhet pritur në ditët e ardhshme.(www.shkodrasport.com)