Ish-sulmuesi i Romës, Justin Kluivert, sot pjesë e Bournemouth-it në Premier League, ka treguar ambicien e tij të veçantë në një intervistë për BBC: hyrja në librin e rekordeve Guinness. Arsyeja? Holandezi beson se është lojtari i parë që ka shënuar në gjashtë kampionatet kryesore evropiane, nëse përfshihet edhe Eredivisie e Holandës mes pesë kampionateve tradicionale elitare (Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë).

“Dua të hyj në librin Guinness. Mendoj se jam i pari që ka shënuar në të gjashtë ligat kryesore të Evropës, nëse përfshijmë edhe Holandën”, tha Kluivert, i cili ka lënë gjurmë që nga debutimi me Ajax-in në moshën 17-vjeçare.

Në fakt, vetëm dy lojtarë të tjerë kanë arritur të shënojnë në pesë kampionatet kryesore: Florin Raducioiu dhe Stevan Jovetić. Por Kluivert shkon përtej: me gola për skuadra të tilla si Ajax (Holandë), Roma (Itali), Leipzig (Gjermani), Nice (Francë), Valencia (Spanjë) dhe Bournemouth (Angli).

Kluivert, aktualisht me Bournemouth-in, që ndodhet në vendin e dhjetë, nuk e përjashton një kualifikim europian për klubin e tij: “E besojmë, flasim çdo ditë për këtë. Do të japim 100% për ta arritur”, tha ai.

I pyetur për presionin e mbiemrit të njohur, ai shprehet i qartë: “Ishte një motivim. Doja të tregoja se isha i zoti vetë, jo vetëm se quhesha Kluivert. Presioni krijon diamantet – dhe ashtu shkëlqen”.

Në nëntor, ai shkroi histori në Premier League, kur shënoi tre penallti në një ndeshje të vetme ndaj Wolves. “Kur isha më i ri, nuk më pëlqente të godisja penallti. Por tani kam qetësinë për ta bërë – dhe s’e kam gabuar ende.”