Me afrimin e Kampionatit Botëror për Klube, që do të nisë më 15 qershor në Shtetet e Bashkuara, Juventusi është në garë me kohën për të kompletuar skuadrën. Pavarësisht pasigurive që kanë shoqëruar ekipin, puna për ndërtimin e ekipit po vazhdon me intensitet.
HUAZIMET- Një nga sfidat kryesore të klubit bardhezi është çështja e lojtarëve të huazuar, kontratat e të cilëve skadojnë më 30 qershor, pra gjatë zhvillimit të turneut. Tre emrat më problematikë janë Fransisko Konseisao (Porto), Randal Kolo Muani (PSG) dhe Renato Veiga (Çelsi). Xhuntoli ka nisur bisedimet me klubet përkatëse për të zgjatur huazimet deri në përfundim të Botërorit, rreth mesit të korrikut.
Nga këto tratativa, duket se ajo me Porton është më e avancuara. Konseisao do të jetë pjesë e Juventusit në SHBA, pasi Porto ka dhënë miratimin për zgjatjen e huazimit. Për Kolo Muaninë dhe Veigën, ende nuk ka marrëveshje përfundimtare, por sinjalet janë pozitive dhe pritet që edhe ata të jenë pjesë e skuadrës.
RIKTHIMET- Në prag të turneut, Juventusi do të përforcohet edhe me disa rikthime nga huazimet. Daniele Rugani, që ka pasur një sezon të mirë me Ajaksin, dhe Filip Kostiç, i cili ka luajtur në Turqi me Fenerbahçen, do t’i bashkohen ekipit për sfidat në SHBA. Prania e tyre pritet të sjellë përvojë dhe stabilitet në skuadër. Kështu, Juventusi po përgatitet për një sfidë ndërkombëtare të rëndësishme, mes negociatave, rikthimeve dhe mungesave. Ndërsa ora po troket drejt datës së nisjes, mbetet për t’u parë nëse bardhezinjtë do të arrijnë të shfaqen në SHBA me një skuadër të plotë dhe të gatshme për të përfaqësuar denjësisht klubin në arenën botërore.