Seria A pritet të përjetojë një tjetër verë me shumë ndryshime pankinash dhe këtë radhë, parashikohet që t’u bashkohet edhe klubi i Atalantës.

Xhanpiero Gasperini, ndonëse në fund të kampionatit dha sinjale se do të vazhdojë të paktën edhe këtë sezon me bergamaskët që luajnë në Champions, duket se ka ndërruar përsëri mendje.

Mediat italiane raportojnë se ka pasur një takim të tij me klubin, ku Gasperini për herë të parë ka qenë i hapur ndaj mundësisë së largimit të menjëhershëm nga Atalanta. Trajneri ka edhe një vit kontratë me bergamaskët, të cilët i kanë propozuar zgjatjen e marrëveshjes deri në 2027.

Kësisoj, Gasperini ka kërkuar 48-72 orë që të kthejë përgjigje, për çdo variant të mundshëm që ka përpara me klubin bergamask. Gjatë këtyre ditëve, ai do të marrë vendimin për të ardhmen e tij duke shqyrtuar edhe opsionet që i janë vënë përpara nga klube të tjera që interesohen për trajnerin i cili ktheu Atalantën në një emër të njohur në futbollin europian.