Pas fitores së rëndësishme që i siguroi Juventusit pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, tensionet në ambientin bardhezi dukeshin të pashmangshme, veçanërisht pas deklaratave të befasishme të trajnerit Igor Tudor.

Në një intervistë të fundit, trajneri kroat shprehu dyshime për të ardhmen e tij, duke thënë se nuk ka kuptim të udhëtojë me skuadrën në Botërorin për Klube nëse nuk do të jetë më trajner i klubit sezonin e ardhshëm. Këto deklarata erdhën pak pasi Xhuntoli e konfirmoi atë publikisht për Botërorin e Klubeve në krye të Juves. Por këto fjalë, që në fillim dukeshin si një sinjal shqetësues, u qetësuan shpejt falë një bisede midis Tudorit dhe Kristiano Xhuntolit.

Agjenti i trajnerit kroat, Seriç, në një deklaratë për “SkySport” theksoi se marrëdhënia mes tyre është shumë e mirë dhe se deklaratat e Tudor pas ndeshjes me Venecian ishin thjesht një “shpërthim tensioni për sfidën e arritur me vështirësi”. “Pas intervistave, Igor dhe Kristiano kanë biseduar dhe ai do të respektojë angazhimin për të drejtuar Juventusin në Botërorin për Klube”, tha Seriç, duke shtuar se Tudor nuk do të vërë presion për vendimet e ardhshme dhe shpreson të mbetet trajner edhe në sezonin 2025-2026.

Megjithatë, trajneri është i vetëdijshëm se arritja e vendit të katërt dhe rinovimi automatik i kontratës nuk i siguron stolin në Torino për një periudhë më të gjatë. Në marrëveshjen e firmosur në mars, klubi ka një klauzolë që i jep mundësinë të ndërpresë kontratën duke paguar një penalitet prej një milion eurosh, edhe në rast të arritjes së Champions-it.