Këlni është rikthyer në Bundesligë si kampion i Bundesligës 2 pas një fitoreje të thellë 4-0 ndaj Kaizerslauternit në ndeshjen e fundit të sezonit.

Atyre u bashkohet Hamburgu në elitë, të cilët ishin ngjitur në Bundesligën 1 që përpara dy javësh. Erik Martel dhe Luka Valdshmid shënuan në pjesën e parë, duke e bërë ndeshjen më të këndshme për tifozët e Këlnit, ndërsa “Billy Goats” shkuan në pushim me avantazhin 2-0.

Pjesa e dytë ofroi pak a shumë të njëjtën gjë, pavarësisht se Valdshmid humbi një penallti në minutën e 56-të, e cila mund ta kishte thelluar më tej rezultatin. Pas kësaj, golat nga Florian Kainc dhe Mark Uth, i cili luante ndeshjen e tij të fundit, e mbyllën një performancë perfekte në të dyja pjesët për Këlnin.

Kjo fitore do të thotë që Këlni rikthehet në Bundesligën 1 pas vetëm një sezoni, duke e mbyllur me 61 pikë. Atyre mund t’u bashkohet ende një ekip tjetër në Bundesligën e parë, SV Elversberg i Fisnik Asllanit, i cili do të përballet me Haidenhaimin në ndeshjet e “play-off”-it që fillojnë të enjten. Ky rezultat i jashtëzakonshëm vjen vetëm pas sezonit të dytë të Elversbergut në Bundesligën 2, pasi u ngjitën në vitin 2023 nga Bundesliga 3.