Në prag të sfidës vendimtare ndaj Norvegjisë për kualifikimin në Kupën e Botës, atmosfera në grumbullimin e kombëtares italiane në Koverçano është e tensionuar jo vetëm për shkak të rëndësisë së ndeshjes, por edhe për polemikat që vijojnë të përfshijnë mbrojtësin Françesko Açerbi dhe trajnerin Luçiano Spaleti.
Në një intervistë për “Sky Sport”, Spaleti ka folur hapur për situatën me Açerbin, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia mes tyre është e krisur. Ai madje e ka “kërcënuar” mbrojtësin zikaltër për faktin që ka refuzuar thirrjen e Kombëtares, duke u shprehur se do të vijë një ditë që Açerbi do t’i japë llogari. “Açerbi një ditë do të më shpjegojë se si i ka munguar respekti nga ana ime. Do të më sqarojë dhe më pas do t’i them edhe unë se çfarë mendoj për atë që ka bërë, jo vetëm ndaj meje, por mbi të gjitha ndaj Kombëtares”.
MANÇINI- Polemikat janë shtuar edhe nga një veprim i ish-trajnerit të Italisë, Roberto Mançini, i cili ka pëlqyer një postim të Açerbit në rrjetet sociale, çka u pa si një lloj mbështetje ndaj mbrojtësit të Interit. Por Spaleti e ka marrë situatën me një lloj ironie: “Mos bëjmë shaka. Sipas meje, dikush i ka vjedhur telefonin Mançinit. Sot të gjithëve u hakerohet telefoni. Dua të besoj se kështu ka ndodhur, nuk dua të mendoj ndryshe”.
NDESHJA- Megjithatë, përtej polemikave, fokusi mbetet te ndeshja e madhe kundër Norvegjisë. Spaleti e ka quajtur sfidën si më të rëndësishmen. “Është ndeshja më e rëndësishme sepse mund të na çojë në Botëror. Do të luhet me të gjitha cilësitë e mundshme”.
MUNGESAT- Pavarësisht mungesave të shumta për shkak dëmtimesh, tekniku italian nuk ka kërkuar justifikime: “Kishim tre lojtarë për rol, një duhej të rrinte jashtë… Tani nuk më duhet të lë askënd në tribunë. Jemi 21 lojtarë plus portierët. Do të luajnë 16 sot dhe më pas kemi një tjetër ndeshje pas pak ditësh. Të gjithë do të jenë të përfshirë”.
MBROJTJA- Në lidhje me mbrojtjen dhe emrat që pritet të zëvendësojnë boshllëqet, Spaleti ka përmendur disa alternativa: “Kam zgjedhur tashmë. Mund të luajë Bastoni, mund të luajë Kopola apo edhe Rugani. Ruganin e gjeta shumë të përqendruar, erdhi menjëherë sapo e thirra. Gjatë sezonit e kam ndjekur shpesh dhe kam komunikuar edhe me trajnerin e tij Farioli, që më ka folur shumë mirë për të”.
Italia përballet me Norvegjinë në një ndeshje që mund të përcaktojë fatin e saj në rrugën drejt Kupës së Botës. Ndërkohë, prapaskenat dhe tensionet e brendshme tregojnë se sfida e vërtetë për Spaletin nuk është vetëm në fushë, por edhe në ruajtjen e unitetit dhe të harmonisë së skuadrës.