Ëndrra e Barcelonës u zhduk në fund të një sfide epike në San Siro, në mënyrën më të keqe të mundshme. Interi gjeti rrjetën që e çoi ndeshjen në kohën shtesë në minutën e 93-të dhe më pas shënoi golin 4-3, duke lejuar skuadrën e Simone Inzaghit të kualifikohej në finalen e Champions League.

Blaugranët, megjithatë, mund të jenë ende të kënaqur me atë që kanë ndërtuar këtë sezon, me shumë lojtarë të rinj që tashmë janë bërë të rëndësishëm për klubin.

Mes tyre është padyshim Lamine Yamal, “djaloshi i tmerrshëm” që çmendi mbrojtjen zikaltër në të dyja ndeshjet.

Një lojtar që duket se është tashmë në një nivel stratosferik, edhe nëse Marco van Basten do ta donte më shumë “në qendër”: “Është mëkat që luan në të djathtë sepse nuk e merr topin sa duhet”.

“Është e vërtetë që ai është një kërcënim i vazhdueshëm, por nëse do të luante në qendër, do të kishte një ndikim shumë më të madh në lojë dhe mund të ishte më i rëndësishëm për ekipin”.

“Mendoj se ky do të jetë hapi i tij i radhës. Ai mund të krosojë dhe të shënojë më shpesh nga ai pozicion”.