Nga Maringlen ZHIVANI
Kevin Dodaj ishte një nga zbulimet e Vllaznisë në këtë edicion futbollistik. Sulmuesi u shndërrua në një nga protagonistët e kuqebluve, teksa 19-vjeçari arriti të tregonte vlerat e tij javë pas jave në kampionat. Si rrjedhojë e paraqitjeve pozitive, Dodaj mori me plot meritë edhe ftesën nga Kombëtarja e Shqipërisë U-21, aty ku në fakt është grumbulluar në mënyrë të vazhdueshme nga trajneri Alban Bushi.
Edhe statistikat ishin mjaft domëthënëse për Dodajn, i cili luajti sezonin e tij të parë si profesionist. Futbollisti i kuqebluve arriti të gjente gjashtë herë golin në Superiore, duke qenë i treti në listën e golashënuesve te Vllaznia, ku më mirë se ai bënë Balaj me 19-gola dhe Mala me shtatë.
Po ashtu, gjatë këtij edicioni, sulmuesi 19-vjeçar ka dhënë edhe tre assiste për shokët e tij të ekipit. Si rrjedhojë e këtij sezoni, Dodaj është futbollisti më i shtrenjtë i kuqebluve dhe poashtu, lojtari i tretë më i shtrenjtë i Superiores. 19-vjeçari ka kapur vlerën e 500-mijë eurove në treg, duke lënë pas shokët e tij të skuadrës.
Ndërkohë, para sulmuesit të Vllaznisë qëndrojnë Baton Zabërgja dhe Peter Itodo-Mandela të Dinamos, që të dy me vlerën prej 1-milionë eurosh. Kujtojmë që, Dodaj kishte oferta të shumta për një transferim jashtë vendit në merkaton e janarit, por ai vendosi që të mbyllte edicionin me kuqeblutë.
Tashmë, në drejtim të sulmuesit mund të vijnë sërish oferta të tjera dhe nëse ka diçka të majme, ndoshta edhe drejtuesit e Vllaznisë mund të mendojnë për një shitje të mundshme të Dodajt në merkaton verore. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim, pasi është akoma herët dhe gjatë këtyre tre muajve mund të ketë zhvillime të shumta sa i përket të ardhmes së sulmuesit 19-vjeçar të Vllaznisë, Kevin Dodaj.(www.shkodrasport.com)