Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia ka rregjistruar një prej operacioneve më të rëndësishme të merkatos në historinë e saj, duke shitur talentin shkodran Kevin Dodaj për një shumë rekord. Sulmuesi i ri, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij në sezonin e fundit, është transferuar jashtë vendit, në një klub me pretendime, duke sjellë të ardhura të konsiderueshme në arkën e klubit kuqeblu.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se transferimi i Dodajt është mbyllur për një shumë që tejkalon të gjitha shitjet e mëparshme që ka realizuar Vllaznia në histori. Edhe pse shifra nuk është bërë publike zyrtarisht nga klubet, thuhet se bëhet fjalë për një vlerë që i kalon 400-mijë eurot, duke e bërë atë shitjen më të shtrenjtë që ka realizuar ndonjëherë klubi shkodran.

Kevin Dodaj është produkt i Akademisë së Vllaznisë dhe është promovuar këtë sezon në ekipin e parë, ku ka treguar rritje të vazhdueshme dhe nivel të lartë profesional. Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga skautë ndërkombëtarë, të cilët prej kohësh kishin ndjekur zhvillimin e sulmuesit të talentuar.

Ky transferim tregon edhe një herë se Akademia e Vllaznisë është një burim i rëndësishëm për talente, ndërsa drejtuesit e klubit shpresojnë që rruga e ndjekur nga Dodaj të pasohet nga futbollistë të tjerë të rinj që po përgatiten në Shkodër.(www.shkodrasport.com)