Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka filluar punën për sezonin e ri. Tashmë, trajneri Edi Martini po planifikon goditjet e rradhës, teksa janë përfolur disa emra. Ish-futbollisti i Vllaznisë, Klodian Duro, në një intervistë për “Shkodra Sport”, komentoi atë çfarë po ndodh tek kuqeblutë momentalisht. Ai foli edhe për ndeshjen finale ndaj Egnatias, të cilën e konsideroi humbjen më turpëruese që ky ekip ka pësuar ndonjëherë. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Duro, si ishte sezoni që lamë pas për Vllazninë?
Unë kam mbetur shumë i zhgënjyer, sidomos në ndeshjen finale ndaj Egnatias. Për mua, ajo ndaj Egnatias ishte një ndër lojërat më të dobëta që Vllaznia ka bërë ndonjëherë. Unë mbeta shumë i zhgënjyer, por mbetën të zhgënjyer edhe 13-mijë tifozët që kishin ardhur nga Shkodra. Nuk kam parë ndeshje më të dobët të Vllaznisë. Për mendimin tim, ajo ndaj Egnatias ishte humbja më e hidhur dhe më turpëruese që Vllaznia ka patur ndonjëherë në historinë e saj.
-Si e prisni sezonin e ri, Europa fillon shpejt?
Fillimisht, duhet përmirësuar menjëherë skuadra. Edhe sezonin e shkuar, Vllaznia nuk ia doli në Europë. Prandaj, ekipi i ri duhet të riformatohet sa më shpejt. Normalisht, kalimi i një raundi në Europë, do të mbushte edhe arkat e klubit nga ana financiare. Unë dua shumë që Vllaznia pse jo të jetë në grupet e Conference League dhe vitin e ardhshëm të shpallet kampion.
-Si e vlerësoni uljen e Edi Martinit në stolin e Vllaznisë dhe emërimin e Vioresin Sinanit si drejtor sportiv i këtij klubi?
Iu uroj shumë suksese që të dyve, pasi janë miqtë e mi. Shpresoj ta nisin mbarë aventurën e tyre dhe pse jo, e thashë edhe më lart, të jenë në grupet e Conference League.
-Çfarë duhet bërë ndryshe nga Vllaznia këtë vit që vjen?
Ja të shohim se çfarë do të bëjnë Martini dhe Sinani në merkato. Unë kam besim tek ata. Po nuk e nxorri kampion Vllazninë edhe Edi Martini me Sinanin, u pa puna. Pastaj, do vij vetë e do t’i nxjerr edhe njëherë kampion përsëri, por tani si trajner.
-Po si mundesh ta nxjerrësh ti kampion Duro?
Po kur del kampion Egnatia me një president si Demrozi që ka vetëm tre vite që njeh futbollin, me një trajner si Tetova që e shkarkoi Egnatia, e mori Lushnja, e shkarkoi Lushnja pas katër ndeshjesh, e rimerr Egnatia dhe del kampion, me një qytet që maksimumin e ka një mijë tifozë në stadium. Atëherë, jo më mos të dal unë që kam punuar me një president si i madhi Myftar Çela dhe pastaj me një president tjetër tek Kombëtarja si Armando Duka.
Kam fituar shumë tituj si futbollist dhe si trajner disa Kupa. Unë jam plotësisht i bindur dhe i sigurt që Vllazninë e nxjerr përsëri kampion. Jam i bindur dhe i sigurt për këtë që them. E kam lojë fëmijësh këtë, sepse Vllaznia ka historinë, fanellën dhe tifozët shkodranë që e mbushin stadiumin plot, siç e mbushën në Tiranë apo siç kanë bërë edhe në “Loro Boriçi”, kur e kanë mbushur me 15-mijë vetë. Pse mos ta nxjerr kampion Vllazninë kur punon me dy presidentë si Alban Xhaferi dhe Ardit Kraja. E kam lojë fëmijësh këtë.(www.shkodrasport.com)
