“Unë e dua futbollin. E di që ka gjëra shumë më të rëndësishme, por ndikimi që ka është i fortë dhe jam i lumtur dhe krenar që jam pjesë e tij. E konsideroj veten një doktor i futbollit, kudo që jam jap gjithçka dhe tani po e bëj për Red Bull. Kjo detyrë pasqyron pak a shumë atë që doja të bëja”.
Kështu e ka shpjeguar trajneri gjerman Jurgen Klopp zgjedhjen e tij për të pranuar rolin e ‘Head of Global Soccer’ në Red Bull, në konferencën prezantuese për shtyp në selinë e grupit, pranë Salzburg.
Ndër temat e diskutuara ishte edhe Botërori për klube që do të zhvillohet në verë dhe kundër të cilit ka qenë ish-trajneri i Liverpool: “Nuk e di nëse mund ta them këtë, por nuk më pëlqen Botërori për klube”.
Më tej, Klopp tha: “Është e thjeshtë: Kampionati fillon menjëherë në verë dhe në një moment duhet të zvogëlojmë numrin e ndeshjeve në disa liga dhe jo t’i shtojmë ato. Kam një dekadë që flas e luftoj për këtë gjë. Ne verë duhet të ketë kohë për sporte të tjera sepse “sa më pak të shohësh diçka, aq më shumë e do“.
Në fund ai foli edhe për të ardhmen e tij: “Kur u largova nga Liverpool mendova se nuk isha më njeriu i duhur për këtë punë dhe ende mendoj se ishte vendimi i duhur. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas pesë vitesh, nuk mund ta përjashtoj se një ditë do të kthehem në pankinë”./telesport/