Kombëtarja shqiptare U-15 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Zvicrës U-15, më 3 dhe 5 qershor, në stadiumin e Vorës. Trajneri Armand Dama ka publikuar listën me 20 futbollistët e grumbulluar për këto përballje. 12 lojtarë vijnë nga klube jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër aktivizohen në kampionatin vendas dhe janë pjesë e Akademisë së FSHF-së, “Elite Youth”.
Pjesë e kombëtares kuqezi për këto ndeshje janë edhe dy futbollistë shkodranë. Bëhet fjalë për portierin Bastian Brungaj i cili siç dihet luan për Fiorentinën si dhe për sulmuesin e KF Shkodra Erjon Vajushi.
Por ajo që të bën përshtypje në listën e publikuar nga trajneri Dama është mungesa e mbrojtësit shkodran Alessio Gjergji i cili luan me Akademinë e Udinezes. Ai dhe familjarët e tij në fakt e kanë pritur ftesën e kombëtares për këto ndeshje, por ajo nuk ka shkuar.
Kuqezinjtë do të nisin nesër grumbullimin dhe përgatitjet në Durrës. Ndeshja e parë Shqipëri – Zvicër do të luhet më 3 qershor, në ora 17:30, në stadiumin e Vorës. Takimi i dytë është programuar për datën 5 qershor, në ora 10:00, po në të njëjtin stadium.
