Kombëtarja U-16 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Bullgarisë, të cilat do të luhen në stadiumin “Niko Dovana” më 5 dhe 8 qershor.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Andrea Tedesco do të nisin grumbullimin më 2 qershor, ndërsa tekniku italian ka përzgjedhur 21 lojtarë për këto dy përballje. Nga këta, 10 futbollistë vijnë nga klube të kampionatit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër aktivizohen me skuadra jashtë vendit.
Pjesë e kombëtares shqiptare për këto dy ndeshje janë edhe 4 futbollistë shkodranë. Bëhet fjalë për dy mesfushorët që luajnë aktualisht me Vllazninë, Orges Halili dhe Eris Kurtulaj si dhe dy sulmuesit që luajnë jashtë vendit, Ermal Ymeri në Suedi me ekipin Brommapojkarna si dhe ai që luan me Fiorentinën në Itali, Majkol Luka. Të dy ata padyshim që premtojnë se do të japin më të mirën për fanellë kuqezi.
Shqipëria U-16 do të luajë sfidën e parë më 5 qershor në orën 17:30, ndërsa ndeshja e dytë do të zhvillohet më 8 qershor në orën 10:00.
