Nga Endri ÇINARI

Ashtu siç duhej edhe ndodhi, ishin “yjet” apo siç cilësohen futbollistët kryesorë të skuadrës që bënë diferencën në kualifikimin e Vllaznisë. Kualitetet e lojtarëve kuqeblu bënë diferencën në duelin ndaj Daugavpils, ku shkodranët përmbysën shifrat duke sigurar kalimin në turin tjetër. Duke nisur me personazhin kryesor të sfidës që ishte Kevin Dodaj, me talentin më të mirë të kampionatit shqiptar që ishte lojtari i ndeshjes.

Tashmë mund të cilësohet i larguar nga Vllaznia, 19-vjeçari ishte protagonist me gol dhe asist. Duke kontribuar më shumë se kushdo në kalimin e turit të dytë të 9 herë kampionëve të vendit tonë. E patjetër për ekipin e Martinit do jetë një mungesë e madhe në duelet e turit të dytë, ku tashmë shkodranët do jenë përballë islandezëve të Vikingur. Një duel akoma më i vështirë dhe i fortë për kuqeblutë.

Një tjetër “yll” që ishte i rëndësishëm në duelin ndaj Daugavpils ishte edhe Esat Mala. Një nga futbollistët më të mirë të edicionit të shkuar, duket se e vijoi edicionin e ri aty ku la të vjetrin. Duke gjetur golin e kualifikimit dhe po ashtu duke zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe po ashtu duke treguar kualitetet për të cilat njihet. E po ashtu një notë shumë pozitive meritoi edhe Elamando Gjini.

Mbrojtësi u aktivizua në pjesën e dytë dhe “rregulloi” totalisht lojën në mbrojtje të shkodranëve. Duke treguar dominim në lojën në ajër ku shkodranët po vuanin shumë e gjithashtu duke hedhur kandidaturën për një vend titullari në turin e ardhshëm.