Të gjithë skuadrat blejnë, ndërkohë që skuadrat spanjolle qëndrojnë në vend numër? Përse futbollistët gjejnë skuadra të tjera dhe i janë larguar kampionatit me emrat e mëdhenj të Real apo Barcelonës? Një përgjigje e thjeshtë: lojtarët shkojnë aty ku ka më shumë para dhe klubet janë në gjendje t’i mbajnë ose të shtojnë organikën me futbollistë të rinj. Një merkato e pritur me shumë bujë, por për futbollin spanjoll ka qenë një katastrofë e vërtetë.
Një recensim i dukshëm: vetëm Real dhe Atletiko Madrid janë mbajtur duke shpenzuar së bashku rreth 200 milionë euro. Rregullat e “fair play” financiar duket se i kanë marrë frymën futbollit. Një rënie drastike, e cila ka nisur që në vitin 2019 me Covidin dhe vazhdon të mbajë të gozhduara skuadrat e La Ligas apo Segunda Division në darën e shpenzimeve me pikatore. Dhe shifrat flasin në mënyrë të frikshme. Italianët kanë shpenzuar shumë më tepër, ndërkohë që klubet angleze janë plan tjetër. Eshtë hera e parë që skuadrat spanjolle nuk arrijnë të mbajnë futbollistët e tyre, ku në merkaton e këtij viti 10 kanë kaluar detin për në ishullin britanik.
Pa folur më pas për hegjemoninë që kërkojnë të vendosin skuadrat arabe, pa projekte, por me shumë para. Realiteti bëhet më i dhimbshëm nëse hyhet në detaje. Nëse tre klube në Spanjë, më konkretisht Reali, Atletiko Madrid dhe Vijarreal, kanë nxjerrë nga arkat e tyre 100 milionë euro, vetëm në këtë merkato 15 klube në Angli kanë shpenzuar secila nga 200 milionë euro. Rekordi mbahet natyrisht nga Liverpul që ka shpenzuar mbi 400 milionë euro.
Në total, skuadrat spanjolle kanë shpenzuar 701 milionë euro për merkato, duke lënë jashtë kampionatit të tyre rreth 3 miliardë euro që janë shpërndarë në klubet angleze, gjermane dhe italiane. Për herën e dytë radhazi, kjo verë ka qenë e vakët, ku skuadrat kanë shtrënguar rripin jo për të blerë, por për të ruajtur “statuskuonë” duke mbajtur sa më të jetë e mundur grupin e lojtarëve. Sezonin e kaluar, me 676 milionë të shpenzuara, ishte në fund të 5 kampionateve më të kuotuar, ndërkohë që këtë vit ka lënë pas vetëm Francën me 634 milionë, e cila mund ta kishte rikuperuar në fund të klasifikimit, nëse PSG do të kishte treguar më shumë aktivitet.
Dhe në këto mori shifrash, përshtypje të bëjnë dy fakte kontradiktore. I pari i takon Barcelonës, e cila ka shpenzuar vetëm 27 milionë, duke kursyer për të mbajtur dhe regjistruar grupin aktual. I dyti, akoma më interesant: 6 nga futbollistët më të kuotuar luajnë në Spanjë. Listën e kryeson Jamal (200 milionë), më pas Belingam e Mbape (180), Vinicius 170, Pedri 140, Valverde 130. Të tjerët i përkasin Premier Ligës: Haland 180 milionë, Saka 150 dhe Virtz 140. Ka edhe Bundesliga: Musiala me 140 milionë.