Nga Maringlen ZHIVANI
Kombëtarja U-21 do të luajë ditën e sotme ndeshjen e dytë miqësore të qershorit ndaj Turqisë. Pjesë e listës së futbollistëve që trajneri Alban Bushi ka grumbulluar për miqësoret e qershorit janë edhe dyshja që kanë shkëlqyer këtë sezon te Vllaznia, pikërisht portieri Aron Jukaj dhe sulmuesi anësor Kevin Dodaj.
Të dy ata, falë paraqitjeve pozitive me Vllazninë, prej ditësh kanë qenë nën urdhrat e trajnerit Bushi dhe në fakt, kanë rënë në sy për mirë, sidomos Dodaj, i cili në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Hungarisë, shënoi një gol menjëherë sapo u fut në fushën e lojës dhe dha assistin për golin e fitores.
Nga sa mësohet nga burime pranë stafit teknik të Kombëtares U-21, sulmuesi Kevin Dodaj pritet të jetë në fushë ditën e sotme në miqësoren ndaj Turqisë, për ta nisur si titullar në krahun e majtë të repartit ofensiv.
Ndërkohë që, nuk përjashtohet mundësia edhe futbollisti tjetër i Vllaznisë, portieri Aron Jukaj, të marrë minuta në miqësoren e sotme ndaj Turqisë. Takimi i 21-vjeçarëve Turqi-Shqipëri do të luhet sot në stadiumin “Ataturk Olimpiyat” të Stambollit, në orën 19:00.