Nga Endri ÇINARI

Milos Stojanoviç ishte largimi i parë zyrtar nga Vllaznia, me mbrojtësin që u zyrtarizua i ikur nga skuadra ditën e mërkurë. Në mënyrë të tillë duke mbyllur bashkëpunimin 2-vjeçar me skuadrën kuqeblu. Por një lajm i tillë ishte paralajmëruar prej disa kohësh nga media të ndryshme dhe një largim i tillë nuk përbënte asnjë surprizë. Ku tek Vllaznia duket se po përgatitet një revolucion i vërtetë për edicionin 2025-26.

Megjithatë serbi pritet të “hapë rrugën” edhe për largimin e të tjerë futbollistëve në rradhët e 9 herë kampionëve. Emrat që pritet të zyrtarizohen shumë shpejt janë ata të Amir Kahrimanoviç dhe Marko Juriç.

Me dyshen kroate që është totalisht jashtë planeve të trajnerit Martini. Dhe bazuar edhe nga performanca e tyre në sezonin e shkuar, që nuk ka qenë bindëse, dera e “largimit” duke e hapur për ballkanasit.

Në këtë linjë largimesh duket se është edhe Alfred Mensah. Por për sulmuesin mund të ketë edhe një “shans” në përgatitjet e fillim verës, për të shikuar nëse do arrijë të bindë apo jo. Pavarësisht se gjasat janë shumë të mëdha që edhe ganezi të marrë “valixhet” dhe të largohet nga Shkodra gjatë ditëve të ardhshme.(www.shkodrasport.com)