Ambicia sezonale e Lautaro Martinez, pasi ka arkivuar objektivin e një ylli të dytë sezonin e kaluar, ishte ndoshta më e dukshme në veprime sesa me fjalë. Kapiteni i Interit ka ngritur ndjeshëm shiritin e performancës së tij evropiane këtë sezon dhe finalja e Ligës së Kampionëve tregoi qartë gjurmën e tij në rrugën e zikaltërve, të mbushura me gola dhe lojëra lidershipi brenda dhe jashtë fushës. Synimi është kompensimi i humbjes së vitit 2023 në Stamboll kundër Manchester Cityt të Guardiolës.
“Do të jetë një emocion i jashtëzakonshëm sepse tashmë kam përjetuar finalen e Ligës së Kampionëve dhe finalen e Kupës së Botës. Ajo që ndjen do të qëndrojë me ty për pjesën tjetër të jetës, do të jetë diçka e pabesueshme”, ka komentuar Lautaro për Uefa.tv.
“Liga e Kampionëve është një ëndërr që është një hap larg nesh, nuk dua as të mendoj nëse do ta arrijmë apo jo, të gjithë e duam këtë trofe që Interit i ka munguar prej shumë vitesh. Megjithatë dua ta shijoj momentin, atëherë nëse fitojmë do të ishte një ëndërr e realizuar”.
Për të arritur në Mynih, vetë Martinez bëri disa sakrifica për Interin, më e habitshmja ishte të ishte në fushë në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales kundër Barcelonës pas dëmtimit në ndeshjen e parë: “Për mua, sakrifica do të thotë të mos dorëzohesh kurrë, të jesh gjithmonë aty dhe i fokusuar te objektivi individual dhe ekipor. Unë gjithmonë jap 100% për stërvitjen e shokëve të skuadrës”.
Pas dëmtimit në Montjuic, argjentinasi kaloi një moment të vështirë: “Kam kaluar dy ditë duke qarë në shtëpi, dhimbja ishte shumë e fortë dhe ishin momente të vështira. Megjithatë, nuk mund të humbisja ndeshjen e kthimit pavarësisht dhimbjes, më duhej të isha aty. Kështu jam, përpiqem të jap shembull në çdo mënyrë dhe mentaliteti me të cilin i trajtoj ndeshjet më përcakton si person. Nuk isha 100%, por u përballa me situatën për t’u dhënë një dorë shokëve të mi, kjo ishte ajo që i duhej Interit”.
Megjithatë, forca e Interit qëndron edhe në grup: “Ky vit ka qenë një demonstrim i shkëlqyer se çfarë është skuadra për mua. Nëse grupi funksionon mirë, edhe individi shkëlqen. Ne e merituam finalen për sakrificën që bëri secili prej nesh, punuam shumë dhe jam krenar. Shpresojmë të vendosim qershinë mbi tortë”.