Nga Maringlen ZHIVANI
Roli i portierit në futboll është ndër më të rëndësishmit në çdo skuadër. Ai është pika e fundit e mbrojtjes dhe shpesh herë vendos fatin e një ndeshjeje me një pritje vendimtare. Portieri, përveç aftësive teknike dhe reagimeve të shpejta, gjithashtu duhet të jetë edhe lider në fushë, duke udhëhequr mbrojtjen dhe duke komunikuar vazhdimisht me shokët e skuadrës.
Një portier i sigurt i jep qetësi dhe besim gjithë ekipit. Në futbollin modern, roli i tij ka evoluar shumë. Sot, portierët kërkohen të jenë të zotë edhe me topin në këmbë, të marrin pjesë në ndërtimin e aksioneve dhe të lexojnë lojën. Prandaj, zgjedhja e një portieri nuk është më thjesht çështje pritjesh, por është një investim teknik, taktik dhe psikologjik që ndikon në të gjithë ekuilibrin e skuadrës.
Me këtë logjikë kanë punuar edhe drejtuesit shkodranë dhe këtë sezon shpresojnë të kenë qëlluar në shenjë. Për edicionin e ardhshëm, drejtuesit kanë zgjedhur një profil të huaj, gjermanin Leon Pohls, një portier me eksperiencë në kampionatin irlandez, që është prezantuar me bujë dhe me misionin e qartë për të sjellë stabilitet dhe siguri në një pikë të ndjeshme të fushës.
A do të jetë ai më në fund portieri i duhur? Kjo mbetet për t’u parë në vijim. Nëse Vllaznia kërkon të konsolidohet në elitën e futbollit shqiptar, një nga hapat më të rëndësishëm ka qenë pikërisht gjetja e një figure afatgjatë në portë. Leon Pohls vjen për këtë qëllim dhe klubi beson tek ai. Megjithatë, përgjigjja do të vijë në fushë, aty ku gjithmonë vendoset e vërteta.(www.shkodrasport.com)