Lojtarët e Real Madrid me radhë kanë shpërndarë në rrjetet sociale mesazhe për Karlo Ançelotin, pasi ky i fundit dha zyrtarisht sot lajmin e largimit nga klubi spanjoll. Trajneri italian do marrë drejtimin e Brazilit dhe do të nisë një aventurë të re në pankinën e një përfaqësueseje për herë të parë në karrierë.

Një nga mesazhet që kanë spikatur më shumë ishte ai i brazilianit Vinicius, i cili sukseset më të mëdha të karrierës i ka përjetuar pikërisht nën drejtimin e teknikut italian. “Faleminderit mister, je më i miri”, niste postimi i tij.

“Që nga mbërritja juaj në Madrid, jeta ime ka ndryshuar si lojtar dhe si person. Më dhatë besim, më ndihmuat të rritem dhe ishit pranë meje në çdo moment, në fushë dhe jashtë saj. Fituam dy Liga Kampionësh, dy tituj të La Ligës dhe shumë trofe të tjerë… por ajo që vlerësoj më shumë është mënyra se si më trajtuat, përulësia juaj dhe mënyra se si e keni menaxhuar gjithë këto vite. Gjithmonë më keni mbrojtur kur kam pasur më shumë nevojë.

Sot është e vështirë të them lamtumirë. Dhoma e zhveshjes së Madridit do të ta ndjejë mungesën. Unë do ta ndjej mungesën. Por në të njëjtën kohë, jam i lumtur të di se tashmë kemi një datë për ribashkimin tonë. Tani, duke veshur së bashku fanellën e kombëtares braziliane. Është fati. Do të të pres në Brazil”, ishin fjalët e Vinicius për trajnerin.