Liverpuli ka bërë hapin e parë konkret drejt përforcimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm, duke dorëzuar një ofertë që kap shifrën mbi 100 milionë euro për talentin gjerman Florian Virc.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat britanike dhe gjermane, oferta është tashmë në duart e drejtuesve të Bajer Leverkusenit dhe pritet që negociatat të rifillojnë me synimin që marrëveshja të përfundojë sa më shpejt. 22-vjeçari Virc, i shpallur lojtari më i mirë i Bundesligës për sezonin që lamë pas, është një nga emrat më të kërkuar në futbollin europian.
Ai luajti një rol kyç në suksesin historik të Leverkusenit, që fitoi kampionatin pa asnjë humbje, triumfoi në Kupën e Gjermanisë dhe arriti deri në finalen e Ligës së Europës. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabricio Romano, Virc është i prirur t’i bashkohet Liverpulit, duke refuzuar ofertat nga Bajerni i Mynihut si dhe mundësinë për të qëndruar edhe një vit tjetër në “BayArena”. Nëse ky transferim finalizohet, ai mund të thyejë rekordin e transferimeve në futbollin britanik, të vendosur nga Chelsea kur pagoi 115 milionë paund për Moise Kaisedo.
Leverkusen fillimisht kishte kërkuar plot 126 milionë paund (150 milionë euro) për shërbimet e Virc, duke mos qenë të gatshëm të lëshojnë pe për më pak. Burime nga Gjermania raportojnë se Leverkuseni nuk është i gatshëm të bëjë kompromis dhe po sheh si alternativa për zëvendësim të mundshëm lojtarët e Liverpulit si Harvi Eliot dhe Xherell Kuansah, megjithatë këto pista janë ende në fazë të hershme dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me marrëveshjen për Virc.
TEJKALIMI I KONKURRENCËS- Kjo lëvizje e Liverpulit vjen pasi fillimisht Mançester Siti dhe më pas Bajern Mynih hoqën dorë nga ndjekja e mesfushorit, me bavarezët që mbetën të habitur nga vendimi i tij për të mos qëndruar në Gjermani. Madje, trajneri Vinsent Kompani dhe figura të larta të klubit, përfshirë Uli Hënes, kishin zhvilluar disa takime me lojtarin në përpjekje për ta bindur, por pa sukses. Raportohet se edhe trajneri i ri i Liverpulit, Arne Slot, ka zhvilluar biseda direkte me Vircin, duke i lënë një përshtypje shumë pozitive, e cila ka qenë vendimtare në dëshirën e lojtarit për të veshur fanellën e kuqe.
Nëse marrëveshja finalizohet në ditët në vijim, Liverpuli jo vetëm që do të sigurojë një nga talentet më të mëdhenj të futbollit botëror, por do të japë edhe një sinjal të qartë se është gati të rikthehet fuqishëm në garat për trofe. Liverpuli fitoi titullin kampion të Premier Ligës këtë sezon, por kërkon që në sezonin e ardhshëm të luftojë për të gjitha trofetë, përfshirë këtu edhe Ligën e Kampioneve, objektivi më i madh i tyre.