Liverpuli është hedhur zyrtarisht në sulm për të përforcuar repartin e avancuar. E fillimisht ka kontaktuar klubin e Njukasëllit, për t’i shprehur interesin ndaj sulmuesit suedez, Alexander Isak, madje duke bërë gati edhe 120 milionë stërlina. Mirëpo, pasi ka gjetur bllokadën e “Magpies”, atëherë – gjithmonë sipas raportimeve të mediave angleze – “Reds” po planifikojnë të paraqesin një ofertë për Ekitike të Eintrahtit.
“Jo” e Njukasëll – Konkretisht, sipas asaj që ka bërë me dije eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, klubi kampion i Anglisë ishte gati të thyente rekordin e transferimeve për ta sjellë Isak në “Anfield”, nëse Njukasëll tregohej i gatishëm për ta shitur sulmuesin.
Në fakt, të ashtuquajturit “Magpies” kanë dhënë menjëherë përgjigje, duke thënë se nuk kanë ndërmend ta shesin lojtarin. Madje po planifikonin edhe t’i ofrojnë një kontratë të re lojtarit 24-vjeçar. Kështu, përfundimisht ka ardhur një “jo” e prerë nga Njukasëlli, gjë që sipas mediave britanike, ka bërë Liverpulin të drejtohet tjetërkund. Mësohet se do bëjnë një ofertë për Hugo Ekitike të Eintrahtit, klub që, për këtë lojtar, vetëm pak ditë më parë refuzoi një ofertë pikërisht nga Njukasëlli me vlerë 75 milionë euro.
Tentativa për Vinicius – Përpara se të sulmonte seriozisht për Isak, Liverpuli sinjalizohet se ka parë një mundësi të papritur te Real Madridi për Vinícius. Edhe pse “Los Blancos” gjithmonë kanë shfaqur qetësi lidhur me rinovimin e brazilianit, marrëveshja e re ende nuk është firmosur, duke ndezur alarmin te disa nga klubet më të mëdhaja të Europës. E veçanërisht në “Anfield”. Sipas asaj që ka raportuar “DefensaCentral”, klubi anglez është i gatshëm të ofrojë një shumë astronomike rreth 130 milionë euro për anësorin brazilian, duke shfrytëzuar faktin që klubi ndoshta mund të ndahet nga Luis Díaz.
Nëse kolumbiani largohet nga Liverpuli për një shumë afër 90 milionë euro, një pjesë e atij fitimi do të përdorej direkt për të tentuar bindjen e Viníciusit. Aq më tepër kur raportimet e fundit sugjerojnë se mosmarrëveshjet ekonomike po e zvarrisin procesin e rinovimit. Sido që të jetë, pavarësisht vullnetit të Liverpulit, mbetet të shihet se si do të shkojnë tratativat.