Drita është mysafire e Differdange në ndeshjen kthyese të fazës ‘play-off’ të Ligës së Konferencës dhe është afër të shkruaj historinë duke u kualifikuar për herë të parë në grupe të një gare evropiane.
“Intelektualët” janë gati për aktin e dytë ndaj klubit nga Luksemburgu, pasi do të luajnë në “Stade Municipal de la Ville de Differdange” nga ora 20:00.
Ekipi i Zekirija Ramadanit është gati për këtë takim të madh dhe synon ta ruaj avantazhin prej 2-1 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Prishtinë.
Drita synon fitoren e radhës ose më së paku një barazim për të siguruar kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori të klubit.
Në rast kualifikimi, Drita do të bëhej klubi i dytë kosovar që arrin një gjë të tillë, pasi më parë Ballkani kishte luajtur dy herë në grupet e Ligës së Konferencës.