Pas garës së ashpër për Nico Williams, e fituar në fund nga Athletic Bilbao me rinovimin e spanjollit, Bayerni dhe Barcelona gjenden sërish në një përplasje të drejtpërdrejtë në merkato.
Këtë herë, objektivi i përbashkët është Luis Diaz, sulmuesi anësor i Liverpool-it.
Gjermanët janë detyruar të hyjnë fuqishëm në treg pas dëmtimit të rëndë të Jamal Musialas, i cili pësoi frakturë në fibul dhe dëmtim të ligamenteve në kavilje gjatë një përplasjeje me Gianluigi Donnarumma-n në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube ndaj PSG-së.
Mesfushori i talentuar pritet të mungojë për të paktën 4 deri në 5 muaj dhe drejtuesit bavarezë janë vënë menjëherë në lëvizje për një zëvendësues të denjë.
Pas tërheqjes nga pista ‘Nick Woltemade’, për të cilin Stuttgarti kërkon plot 80 milionë euro, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, ka vendosur të përqendrohet te një profil tjetër ofensiv. Dhe sërish, përballë i del Barcelona.
Luis Diaz, i cili mund të largohet nga Liverpool-i këtë verë, është dëshira e madhe e katalanasve.
Por sipas të përditshmes gjermane ‘Bild’, kolumbiani thuhet se ka arritur tashmë një akord personal me Bayern-in, edhe pse negociatat zyrtare mes dy klubeve nuk kanë nisur ende.
Liverpool-i është i hapur për ta shitur ish-lojtarin e Portos, por kërkon një shumë prej 70 deri në 80 milionë euro, një vlerësim që mund të vështirësojë bisedimet me të dyja klubet.
Nëse transferimi konkretizohet, Bayern-i do t’i rrëmbente sërish Barcelonës një tjetër objektiv të rëndësishëm, në një betejë merkatoje që po bëhet gjithnjë e më intensive mes dy gjigantëve të futbollit evropian.