Gazetari i njohur anglez Ian Herbert ka bërë një deklaratë tronditëse lidhur me “gjyqin e shekullit” që po zhvillohet kundër Manchester Cityt, i cili akuzohet për 115 shkelje të ndryshme.

Në një tekst ekskluziv për Daily Mail, Herbert raporton se Manchester City mund të fitojë pavarësisht numrit të madh të akuzave që rëndojnë mbi të. Klubi është përballur prej kohësh me kërcënime të rënda – që nga gjoba të mëdha, ndalime transferimesh e deri te përjashtimi nga liga dhe heqja e trofeve të fituar.

Manchester City ishte shpallur fajtor nga UEFA disa vite më parë, por arriti ta përmbyste këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Herbert thotë se diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe tani.

Kanë kaluar 180 ditë që nga përfundimi i seancave dëgjimore të klubit – të cilat zgjatën 12 javë nga shtatori deri në dhjetor – dhe Herbert e sheh këtë vonesë si një tregues se Man City mund të triumfojë.

“Kalimi i kohës më çon në përfundimin se Manchester City do të fitojë. Pa zbritje pikësh dhe pa rënie nga kategoria”, ka shkruar ai.

Sipas gazetarit, fakti që procesi është pezulluar tregon se ka pasiguri lidhur me provat e paraqitura nga Liga Premier.

Akuzat ndaj Manchester City përfshijnë

54 herë: Mosdhënie informacioni të saktë për financat e klubit.

14 herë: Mosdhënie informacioni të saktë mbi pagesat e lojtarëve dhe menaxherëve.

7 herë: Shkelje të rregullave për fitimin dhe qëndrueshmërinë e Premier League.

5 herë: Mosrespektim të rregullave të UEFA-s, përfshirë Fair Play-in Financiar.

35 herë: Mosbashkëpunim me hetimet e Premier League që nga viti 2018.

Megjithëse këto janë akuza serioze, Ian Herbert beson se City do të dalë i pafajshëm, duke shmangur çdo dënim të rëndë. Tani mbetet të shihet nëse parashikimi i tij do të realizohet, ndërkohë që bota e futbollit pret me ankth vendimin përfundimtar. /Telegrafi/