Humbja në finalen e Ligës së Evropës përballë Totenhemit, si dhe katastrofa në kampionatin anglez ka sjellë të tjera trazira te Mançester Junajtid.
‘Djajtë e kuq’ tashmë rrezikojnë edhe një kolaps financiar, që mund t’i detyrojë të shkarkojnë punonjës në klub, por edhe të shesin disa prej lojtarëve të tyre. Sipas gazetës britanike ‘Daily mail’, Mançester Junajtid ka filluar procesin e njoftimit të stafit se kanë humbur vendet e punës, vetëm disa orë pas humbjes së ekipit në finalen e Europa League.
‘Mail Sport’ ka saktësuar se disa nga 200 punonjësit në rrezik të shkurtimit të vendeve të punës po informohen për fatin e tyre këtë javë. Në vend që ta lënë zhgënjimin e humbjes 0-1 ndaj Totenhemit të zhduket, drejtuesit e klubit në ‘Old Trafford’ po vazhdojnë me shkurtimet e egra të vendeve të punës. Drejtori ekzekutiv, Omar Berrada, i tha stafit në shkurt se do të ketë shkurtime të tjera vendesh pune si pjesë e një ‘plani transformimi’, që synon kthimin e klubit në ‘fitimprurës’.
Kjo pasoi humbjen e 250 vendeve të punës vitin e kaluar. Burimet kanë shprehur habi për kohën e veprimit për t’ua dhënë lajmet e fundit stafit, kaq shpejt pas humbjes në Bilbao, por klubi duket se është i gatshëm të bëjë kursime sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht pasi humbi kualifikimin prej 100 milionë sterlinash në Ligën e Kampionëve. Nuk dihet nëse Sër Xhimi Ratklif dhe kompania e tij ‘Ineos’ planifikojnë më shumë shkurtime në fuqinë punëtore, por morali thuhet se është i ulët brenda klubit, me kolegë të njohur dhe të vjetër që pritet të largohen.
‘Mail Sport’ ka raportuar më parë se si humbja mund të kishte pasoja të rëndësishme për të ardhmen e Junajtid. Menjëherë pas finales, çmimi i aksioneve të klubit ra me 160 milionë sterlina, ndërsa Junajtid do të humbasë gjithashtu një fitim prej më shumë se 100 milionë sterlinash duke mos arritur të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve. Kjo, në mënyrë të kuptueshme, i ka lënë shumë të shqetësuar për situatën financiare të Junajtid, duke qenë se klubi ka regjistruar humbje neto prej më shumë se 370 milionë sterlinash në pesë vitet deri në qershor 2024.
Ndërkohë, duke folur pas finales, trajneri Ruben Amorim, i dëshpëruar, foli hapur për hidhërimin e tij nga rezultati, përpara se të zbulonte se është i përgatitur të largohet nga drejtimi i skuadrës pa asnjë qindarkë kompensim, nëse pronarët dhe tifozët nuk besojnë më se ai mund ta ndryshojë situatën sportive.