Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, foli pas disfatës 0 me 1 që skuadra e Vllaznisë regjistroi në “Elbasan Arena” ndaj letonezëve të Daugavpils. Tekniku shkodran u shpreh i keqardhur për këtë humbje, teksa në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “RTSH” deklaroi:  

“Normalisht i mërzitur, kishim rastet tona. Duhet të shënonim. E zotëruam lojën, nuk arritëm të shënonim, pësuam një gol të evitueshëm, ky është futbolli.  

Në javën e fundit kemi ndryshuar 4 lojtarë në formacion. Na u dëmtuan dhe nuk arritëm të mbajmë ritmin. Krymi dhe Sala na kërkuan ndërrim në pjesë të parë. Edhe Mala nuk ishte në gjendje optimale, nuk është stërvitur. 

0-0 do ishte më mirë. Do të shikojmë rikuperimin e lojtarëve që ishin të dëmtuar. Do të zgjidhet në ndeshjen e dytë. Jam optimist me lojën, mënyrën si kanë luajtur djemtë. Jam optimist dhe mendoj se do t’ia dalim atje.  

Ky ishte një ekip i vështirë, që mbron mirë, shtatlartë. Nuk është kollaj të çash 10 veta. Në pjesën e parë duhet të shënonim 2-3 herë. Kishim edhe raste për penallti. Kam besim tek djemtë sepse kemi edhe 90 minuta të tjera.  

1-0 është rezultat që mund ta kthesh. Do të mundohemi dhe do të provojmë. Kemi pritur edhe lojtarë të tjerë të vijnë. Jemi bisedime me shumë lojtarë të tjerë. Është i domosdoshëm kalimi i këtij turni. Deri në fillim të kampionatit, kemi për të pasur shumë lojtarë të mirë. Kemi edhe një ndeshje që duhet të luftojmë për të arritur kualifikimin edhe për financat e klubit”, u shpreh Martini.