Nga Maringlen ZHIVANI

Në ndeshjen e Vllaznisë në Letoni, ajo që binte në sy ishte edhe identiteti kuqeblu. Në fushë, përkrah titullarëve si Gurishta dhe Balaj, kishte vend për një brez të ri futbollistësh të rritur brenda shtëpisë kuqeblu. Gerald Kubazi, pa i mbushur akoma 19-vjeç, ishte më i riu nga futbollistët e aktivizuar.

Po ashtu, nga stoli përveç Kubazit, u hodh në fushë edhe 20-vjeçari Ensar Tafili. Në momentet, kur këto futbollistë u futën në fushë, dueli ishte 2-2, ndërsa më pas rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 2-4. Në fund, kryefjalë mbeti guximi i trajnerit Martini për të aktivizuar të rinjtë në ato momente.

Kubazi dhe Tafili kanë kaluar nëpër filtrat e Akademisë së Vllaznisë. Në fakt, që tek moshat, këto dy futbollistë dallonin që në ndeshjet e para. Kubazi si sulmues vrastar që shënonte rregullisht dhe Tafili si lider natyral në fushë, i aftë të lidhë repartet. Drejtori i Akademisë, Alban Neziri, ishte në tribunën e stadiumit në Letoni për të ndjekur nga afër këtë ndeshje.

Ai e sheh përfshirjen e këtyre elementëve si shpërblim për një punë të gjatë dhe të strukturuar në Akademi. Megjithatë, tani nis më e vështira për ata. Gjithsesi, me futbollistë si Kubazi dhe Tafili, Vllaznia po ndërton një profil të ri nën drejtimin e trajnerit Martini. Një profil të guximshëm që rrrënjët i ka nga Akademia.

Një brez që nuk premton vetëm për të ardhmen, por po i jep zë edhe së tashmes. Për Vllazninë, duket se ky nuk është thjesht një shfaqje besimi ndaj të rinjve, por një projekt i mirëfilltë. Akademia nuk shfaqet tashmë vetëm si furnizues i skuadrës së parë, por themeli mbi të cilin po ngrihet një model, ku shembulli më i mirë është Kevin Dodaj.

Bashkë me Kubazin dhe Tafilin, por edhe Arën nga stoli, emrat e aktivizuar tregojnë qartë se e ardhmja ka filluar të japë frytet e duhura dhe ndoshta në të ardhmen, mund të jetë një ekip “Made in Vllaznia”.(www.shkodrasport.com)