Mbi 200 mijë aplikime për të parë nga afër ndeshjen e 7 qershorit Shqipëri-Serbi. Kur na ndajnë dhe pak ditë nga kjo supersfidë, tifozët kuqezi tani janë në ankth nëse do të kenë fatin për të qenë fitues të një biletë në Arenën Kombëtare.
Aplikimet tanimë janë mbyllur dhe tani ka nisur procesi përzgjedhjes elektronike të fituesve. Me anë të një postimi, Federata shqiptare e futbollit njoftoi se të gjithë tifozët që me anë të shortit janë përzgjedhur si fitues, do të marrin në email, një kod unik me anë të të cilit më pas mund të bëjnë dhe pagesën online.
Pas kësaj, bileta do të jetë e personalizuar me emër dhe mbiemër, dhe në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë ID-të me të dhënat e biletës.
Fituesit e parë janë zgjedhur dhe në internet ka nisur që tani ai që quhet tregu i zi. Bileta që blihen për një shumë të caktuar lekësh dhe shiten 4 apo 5 fish më shumë.
Sipas njoftimit në FSHF, fituesi ka mundësinë që vetëm një herë të mund ta trensferojë biletën e tij në një emër tjetër.
Nga data 31 maj deri më 2 qershor do të jetë shorti elektronik që përzgjedh në mënyrë krejtësisht rastësore aplikuesit që do të fitojnë të drejtën për të blerë biletë. (A2 Televizion)