Nga Endri ÇINARI

Është një shprehje në sport që thotë “rekordet vihen për t’u thyer” dhe kjo duker se i shkon për “shtat” Elseid Hysajt në këto momente. Mbrojtësi shkodran i cili zhvilloi një ndeshje spektakolare së fundmi kundër Serbisë në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026, është pranë një rekordi historik me fanellën e Shqipërisë.

Ndeshja e tij kundër ekipit të Stojkoviç ishte e 90-ta me ngjyrat kuqezi, duke qenë kështu futbollisti i dytë me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares shqiptare. Një rekord që mbahet nga Lorik Cana aktualisht, me ish-kapitenin legjendar të Shqipërisë që mbajti veshur 93 herë fanellën e “shqiponjave”. Por, ky rekord duket se nuk do e ketë të gjatë dhe pritet të ngushtohet dhe kalohet shumë shpejt.

E pikërisht do jetë Elseid Hysaj i cili pritet të thyejë rekordin e Canes, i cili është vetëm 3 ndeshje larg për tu barazuar dhe 4 ndeshje për tu kaluar. Shifra totalisht të arritshme për mbrojtësin e Lazios, i cili duket i “rilindur” në periudhën e fundit, ku edhe në Serie A në ndeshjet e fundit sezonale arriti të shfaqte vlerat e tij. Duke treguar se është një nga futbollistët shqiptarë me më stabilitet në 15-20 vitet e fundit në “top” kampionatet europiane të futbollit.

Hysaj ka debutuar me Shqipërinë në datën 22.03.2013, ku zbriti në fushë kundër Norvegjisë në kuadër të kualifikuesve të Botërorit 2014. Që nga ajo periudhë ai ka zhvilluar 90 ndeshje me kuqezinjtë, teksa dueli i rradhës ndaj Letonisë do jetë i 91-ti për 31-vjeçarin. I cili me fanellën e kombëtares ka shijuar edhe pjesëmarrjen në dy europianë të futbollit, atë Euro 2016 dhe atë Euro 2024.(www.shkodrasport.com)