Florenc Farruku është një nga zbulimet e sezonit të fundit në futbollin shqiptar. Sulmuesi matjan, që në sezonin e fundit mbajti edhe shiritin e kapitenit për Burrelin, është ndër më të kërkuarit në prag të hapjes së merkatos verore të futbollistëve. Janë disa klube që interesohen për shërbimet e 23- vjeçarit matjan.
Në janar pati zëra për një kalim të mundshëm te Tirana, por që mbetën thjesht zëra merkatoje. Interesim intensiv ka pasur prej muajsh edhe nga Vora, që në edicionin e ri do të marrë pjesë për herë të parë në Kategorinë Superiore. Duke ditur cilësitë e sulmuesit, por edhe statusin e tij si lojtar i lirë dhe me parametër zero, kemi një “ankand” të hapur për kapitenin matjan. Ditë më parë në skenë doli emri i Vllaznisë, si i interesuar për Farrukun.
Sipas “Panorama Sport” interesim për Farrukun ka edhe nga kampionët e Egnatias. Vetë emrat e përfolur në listën e interesimeve, janë një vlerësim më shumë për sulmuesin matjan, që është pasuesi i radhës i dinastisë “Farruku” në futbollin shqiptar.
Padyshim, në këtë situatë do të vendosë oferta dhe kushtet më të mira që do t’i afrohen Florenc Farrukut, i cili nën drejtimin e trajnerit Ditmar Bicaj pati një sezon shpërthyes me Burrelin. Me 15 golat e shënuar në 33 javë kampionat, Farruku i dha një dorë skuadrës matjane në paraqitjen pozitive, ku e mbyllën sezonin në vendin e katërt, si dhe u eliminuan në “play off” nga Pogradeci. Florenc Farruku konsiderohet si një bast i fituar nga trajneri Bicaj, i cili besoi shumë te 23-vjeçari, si dhe e përkrahu që ai të zhvillojë sezonin më të mirë të karrierës së tij. Kapiteni matjan mbajti edhe premtimin e dhënë më herët, duke shënuar 15 gola për Burrelin.
Misioni i Farrukut në Kategorinë e Parë konsiderohet i mbyllur dhe tani 23-vjeçari ka rastin të hedhë hapin e madh në karrierë duke i treguar vlerat edhe në Superiore. Përveç klubeve shqiptare, më herët interesim për sulmuesin matjan ka pasur edhe nga klube kosovare dhe në Maqedoninë e Veriut. Ankandi për Farrukun është hapur dhe tani sulmuesit i mbetet të bëjë zgjedhjen e duhur dhe më inteligjenten për karrierën e tij.