Egnatia rrezikon të humbasë një nga shtyllat e saj kryesore. Mesfushori Serxho Ujka është shumë pranë një transferimi te Zulte Waregem, skuadër e elitës belge. Largimi nuk do të ndodhë menjëherë, pasi ai pritet të jetë pjesë e ndeshjes së kthimit ndaj Breidablik në Ligën e Kampioneve, por më pas do të mbyllë aventurën në Rrogozhinë.
Vetë lojtari la të kuptohet pas ndeshjes se koha për një hap të ri kishte ardhur. Ujka ka qenë një nga më të mirët e Egnatias në dy sezonet e fundit, duke u shquar si në mbrojtje, ashtu edhe në organizim.
Egnatia do të përfitojë financiarisht nga ky transferim, ndonëse shifra nuk është bërë publike. Dy vite më parë, ai u ble nga Laçi për 50 mijë euro, ndërsa aktualisht vlera e tij në “Transfermarkt” arrin në 500 mijë euro, duke e bërë lojtarin më të shtrenjtë të kampionëve të Shqipërisë.