Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se merkato është në “kulmin” e saj në këto momente, tek Vllaznia duket se nuk e kanë aspak “mendjen” aty. Shkodranët të cilët janë të angazhuar në turin e parë të Conference League, ku u mposhtën në ndeshjen e parë ndaj Daugavpils me rezultatin 0-1, aktualisht janë të përqendruar vetëm tek fusha e lojës dhe jo ajo çfarë ndodh jashtë saj. Pasi për momentin duket se merkato është e “ngrirë” në kampin shkodran.
Edhe pse ka pasur emra të shumtë që kanë qarkulluar si një afrim i mundshëm në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit, ende s’ka pasur asgjë zyrtare. Ku afrimi i fundit në rradhët e Vllaznisë është ai i Elmando Gjinit. Me mbrojtësin shtatlartë që iu bashkua ekipit të Martinit në formë huazimi nga skuadra e Ballkanit. Duke kompletuar në këtë mënyrë repartin e prapavijës për shkodranët.
Por, edhe sipas asaj çfarë theksoi trajneri Martini në daljen e tij për shtyp të para pak ditëve, merkato e Vllaznisë nuk është mbyllur aspak. 50-vjeçari nënvizoi faktin se klubi ka kohë deri në fillimin e shtatorit për të bërë edhe 3-4 afrime të tjera që do kompletonin totalisht ekipin për edicionin e ri.
Teksa aktualisht vëmendja nuk është aspak në merkato, por në ndeshjen e kthimit ndaj Daugavpils, ku për shkodranët përpara është një mision i vështirë për të përmbysur humbjen e ndeshjes së parë në shifrat 0-1.(www.shkodrasport.com)