Partizani eshte ende ne Kupat e Europes dhe do te tentoje te kaloje ne turin tjeter te “Conference League”, megjithate prej tij mund te largohet nje nga lojtaret me te rendesishem. Behet fjale per kapitenin Valentino Murataj.

Në fakt mund të themi se largimi i 27-vjeçarit vjen në formën e një surprize, për shkak se për më shumë se në tri sezone ishte kthyer në titullar fiks dhe në një pikë referimi në mesfushë. Për më tepër Murataj ishte edhe një lider në dhomat e zhveshjes, teksa në sezonin e fundit u emërua edhe kapiten i dytë, pas Alban Hoxhës. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shumicën e ndeshjeve. Kontrata e tij skadonte pas një sezoni, por palët kanë gjetur akordin për tu ndarë këtë verë.

Duhet thënë se nuk është parë as ndonjë ftohje e mesfushorit me klubin apo drejtuesit, pasi mes palëve gjithnjë ka mbizotëruar një marrëdhënie korrekte. Më së shumti nga jashtë shihet si një dëshirë e Muratajt për t’u larguar dhe për të gjetur një mundësi më fitimprurëse.

Interesi për Muratajn nuk mungon. Klubi më “i fiksuar” pas tij mësohet të jetë Flamurtari, që është gati ta joshë me një pagë më të mirë seç merrte te Partizani. Fieraku ka edhe oferta nga jashtë vendit, por dëmtimi e mban pezull dhe mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e tij. Ai ka propozime nga Izraeli, Turqia dhe Azerbajxhani.