Me një mesazh të ngrohtë, Kevin Dodaj i ka dhënë lamtumirën klubit ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist. Sulmuesi i ri, i cili ka fituar zemrat e tifozëve me shpirtin luftarak dhe përkushtimin në fushë, tashmë do të nisë një aventurë të re në Bullgari, ku do të veshë fanellën e CSKA Sofjes.

Transferimi i tij është mbyllur për një shumë rreth 450 mijë euro, një hap i rëndësishëm në karrierën e tij. Por para se të nisë këtë kapitull të ri, Dodaj ka zgjedhur të ndajë publikisht një mesazh falënderimi, që tejkalon fjalët e zakonshme.

Në postimin e tij, ai përshkruan përvojën me Vllazninë si diçka më shumë se thjesht futboll, si një emocion, një përkatësi që nuk shuhet kurrë.

“Faleminderit Vllazni! Dua të falënderoj nga zemra gjithë familjen e Vllaznisë, tifozët e mrekullueshëm që na mbështetën në çdo moment, bashkëlojtarët që luftuan si një trup i vetëm dhe të gjithë ata që qëndruan pas nesh, në çdo fitore dhe vështirësi”, shkruan ai.

Me një mirënjohje të thellë për gjithçka që ka përjetuar në Shkodër, Dodaj shton:

“Ishte një nder i madh të vesh fanellën kuqeblu dhe të jem pjesë e këtij klubi historik.

Çdo ndeshje, çdo stërvitje, çdo moment do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Vllaznia nuk është thjesht një ekip, është një ndjenjë.”

Mesazhi i tij është pritur me shumë emocion nga tifozët, të cilët i kanë uruar sukses në rrugëtimin e ri, por edhe kanë shprehur mall për largimin e një prej djemve të qytetit. Kevin Dodaj lë Shkodrën, por jo zemrat e kuqebluve.