Nga Endri ÇINARI

Ashtu siç e kishte paralajmëruar prej disa ditësh, largimi i sigurt nga Vllaznia do jetë Amir Kahrimanoviç. Kroati të cilit i përfundon marrëveshje me kuqeblutë në fundin e këtij muaji, duket se nuk do rinovojë në Shkodër. Burime të afërta pranë futbollistit konfirmojnë që ai nuk është kontaktuar aspak nga drejtuesit e klubit.

Madje as pas vendosjes së Edi Martinit në krye të pankinës shkodrane, një telefonatë ka munguar për fantazistin. Që duket se është totalisht jashtë planeve për 9 herë kampionët e vendit për sezonin 2025-26.

Ndërkohë ish-mesfushori i Erzenit aktualisht ndodhet në vendlindjen e tij, Zagreb. Ku po shijon pushimet dhe po mendon edhe për klubin e ardhshëm ku do vijojë karrierën.

Kahrimanoviç u afruar verën e shkuar tek Vllaznia pas dy sezoneve ku spikati në Superiore me Erzenin. Me shkodranët gjatë edicionit 2024-25, ai zhvilloi 24 ndeshje në kampionat duke shënuar 1 gol dhe dhuruar 4 asiste. Statistika dhe performancë që nuk kanë bindur tek Vllaznia, në mënyrë që 26-vjeçarit t’i ofrohej një rinovim i kontratës.