Lionel Messi nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 3-0 që Inter Miami pësoi ndaj Orlando City të dielën në kuadër të MLS. Ishte disfata e pestë për ekipin në shtatë ndeshjet e fundit, përfshirë edhe ato në CONCACAF Champions Cup.
“Mendoj se patëm një pjesë të parë të shkëlqyer. Ne po sulmonim dhe krijonim raste, ndërsa ata nuk arrinin të dilnin nga mbrojtja, vetëm përmes topave të gjatë”, u shpreh Messi për Apple TV pas ndeshjes
Ylli argjentinas u ndal edhe te një moment vendimtar para golit të parë të Orlandos. “Ishte një lojë e çuditshme. Një nga lojtarët e tyre ia pasoi topin portierit dhe gjyqtari më tha që nuk e njihte rregullin. Ai më tha se nuk i dukej ashtu, se nuk e kuptonte”, tha Messi i habitur.
Messi nënvizoi se nga ajo situatë erdhi topi i gjatë që u kthye në gol për kundërshtarin. Ai kritikoi ashpër mungesën e qartësisë nga gjyqtari në një moment thelbësor të lojës.
Ai kujtoi edhe situata të mëparshme të ngjashme. “Ka gabime të qarta, si në ndeshjen e fundit kundër San Jose. Nuk po kërkoj justifikime, por gjithmonë ndodh diçka me gjyqtarët kur luajmë ndeshje të rëndësishme”0
Sipas Messit, këto episode ndikojnë në ecurinë e skuadrës dhe meritojnë vëmendje të veçantë. “MLS duhet ta shqyrtojë më nga afër çështjen me gjyqtarët”, përfundoi ai.
Inter Miami rrezikon të humbasë terren në renditje nëse rezultatet negative vazhdojnë, pavarësisht pranisë së superyllit argjentinas në skuadër. /Telegrafi/