Massimiliano Allegri është zyrtarisht zgjedhja e Milanit për të udhëhequr ekipin në një kapitull të ri, por edhe nostalgjik. Pas operacionit të suksesshëm ‘blitz’ të drejtorit të ri sportiv, Igli Tare, ish-trajneri i Juventusit është gati të rikthehet në pankinën ku fitoi një ‘Scudetto’ dhe një Superkupë të Italisë mes viteve 2010 dhe 2014. Por si do të duket Milani i ri nën drejtimin e tij?
Sipas mikut dhe mentorit të Allegrit, Giovanni Galeone, trajneri livornez ka plane të qarta:
“Leao do të shkëlqejë me Allegrin, por edhe Pulisic do të jetë një nga pikat kyçe. Theo? Me Max do të ndryshojë qëndrim, sepse edhe Pogba ishte i vështirë për t’u menaxhuar, por Allegri ia doli.”
Moduli i preferuar dhe nevojat në merkato
Sipas Galeones, formacioni kryesor i Allegrit do të jetë 4-2-3-1, një skemë që kërkon balancë mes fazës ofensive dhe asaj mbrojtëse. Për këtë arsye, Milani ka nevojë për 3 deri në 4 përforcime, sidomos në prapavijë, ku Pavlovic nuk ka bindur, ndërsa Gila i Lazios shihet si një mundësi reale, duke qenë se Tare e njeh mirë.
Në krahun e djathtë të mbrojtjes, Ëalker nuk do të qëndrojë, ndaj Matty Cash i Aston Villa-s rikthehet si objektiv përfundimtar i Moncada-s.
Mesfusha dhe sulmi
Në mesfushë priten të paktën dy afrime: një lojtar përkrah Fofana-së dhe një tjetër për rolin e trekuartistit, duke qenë se Reijnders është pranë kalimit te Manchester City. Alternativa taktike që Allegri mund të përdorë është 3-5-2, një skemë që do të favorizonte Santiago Gimenez, sulmues që kërkon mbështetje konstante për të shkëlqyer.
Duke qenë se mbi Gimenez është bërë një investim i rëndësishëm në janar, ai pritet të jetë në qendër të projektit të ri teknik. Se kush do të jetë partneri i tij në sulm, do të varet nga merkatoja verore.
Besimi i Allegrit tek Leao
Vetë Allegri, në një intervistë për ‘Corriere della Sera’ në shtator 2022, ka folur me superlativa për dy nga ‘yjet’ kuqezi:
“Milan ka dy lojtarë modernë e të jashtëzakonshëm si Theo Hernandez dhe Leao. Nuk ka asnjë tjetër në botë që e kalon kundërshtarin me forcë dhe lehtësi si Leao.”
Me një trajner të sprovuar si Allegri në krye, një drejtues si Tare në prapavijë dhe një ekip që po riformatohet për t’u bërë sërish pretendent për titull, Milani është gati të rikthehet aty ku e ka vendin: në majë të futbollit italian dhe evropian.