Milan mbyll pas pak sezonin në Serie A, ku kuqezinjtë do të presin në shtëpi ekipin e fundit në renditje, Monza-n. Mediat italiane raportojnë se kjo mund të jetë ndeshja e fundit për të paktën 9 lojtarë, pasi në verë Milan pritet të pësojë një revolucion të vërtetë, ku do të ketë shumë largime.
Listën e largimit e prijnë dy të huazuarit në merkaton e janarit, Kyle Walker, i cili do të rikthehet te Man. City dhe Joao Felix, i cili do të rikthehet te Chelsea. Alessandro Florenzi do jetë i larguari i radhës, kontrata e të cilit skadon më 30 qershor dhe për të nuk do të ketë rinovim, ndaj do të largohet si lojtar i lirë.
Ruben Loftus-Cheek, Samuel Chukwueze dhe Filippo Terracciano po ashtu janë me valixhe në duar dhe do të largohen gjatë verës. “Calciomercato” shkon dhe më tutje, ku sipas prestigjozes italiane në listë për t’u larguar nga Milan janë edhe 3 yjet e ekipit: Tijjani Reijnders për të cilin interesohet seriozisht Manchester City, Mike Maignan dhe Theo Hernandez.
Po ashtu, sot do të jetë ndeshja e fundit në krye të Milan edhe për Sergio Conceicao-n, portugezi do të largohet pasi nuk arriti asnjë nga objektivat e vendosur kur mori drejtimin e kuqezinjve./telesport/