Pas afrimeve të Luka Modric-it dhe Samuele Ricci-t, Milan është gati të mbyllë edhe goditjen e tretë të verës: Pervis Estupiñán, mbrojtës i majtë nga Ekuadori, është shumë pranë kalimit në “San Siro”.
Sipas raportimeve më të fundit nga Italia, negociatat me Brighton-in kanë hyrë në fazën përfundimtare, me të dy klubet që kanë arritur një mirëkuptim për një marrëveshje prej 18 milionë eurosh plus bonuse. Nuk priten surpriza në ditët në vijim, me vetëm detajet e fundit që ndajnë palët nga zyrtarizimi.
Estupiñán, 27 vjeç, pritet të marrë vendin e lënë bosh nga Theo Hernandez, i cili u transferua tek Al-Hilal. Me eksperiencën e tij në Premier League dhe më parë te Villarreal-i, ai shihet si një përforcim kyç për skemën e trajnerit Massimiliano Allegri, që kërkon balancë mes mbrojtjes dhe shpërthimeve në krah.
Për vetë lojtarin, Milani ka arritur një marrëveshje për një kontratë katërvjeçare, me një pagë prej 2.5 milionë euro në sezon. Estupiñán do të ofrojë energji, eksperiencë dhe forcë fizike në një repart që ka nevojë për rikonstruksion pas largimeve të bujshme.
Me pak fjalë, “i treti vjen nga larg”, dhe Milani është gati ta mirëpresë për ta bërë pjesë të projektit të ri kuqezinj.