Tani është zyrtare, Igli Tare ka marrë postin e drejtorit të ri sportiv të Milanit. Lajmi është bërë i ditur drejtpërdrejt nga klubi kuqezi, i cili njoftoi emërimin përmes një komunikate zyrtare. Drejtuesi shqiptar, që për vite me radhë ka drejtuar sektorin sportiv të Lazios, merr në dorë drejtimin e merkatos së Milanit në një fazë vendimtare të rindërtimit të klubit kuqezi.

“Jemi të lumtur ta mirëpresim Igli Taren në familjen kuqezi. Një zgjedhje e duhur për t’ia nisur nga e para: kompetencë, vendosmëri dhe vlera të forta, të kombinuara me njohuri të thella të futbollit italian dhe një vizion ndërkombëtar, e bëjnë figurën ideale për të kontribuar në ringritjen e klubit, përmes zhvillimit të një projekti sportiv ambicioz”, – deklaroi Giorgio Furlani, administratori i deleguar i Milanit.

Nga ana e tij, Tare reagoi me fjalë të mbushura me vendosmëri dhe besim: “Të bëhesh pjesë e një klubi si Milani është një burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. Shoqëria e njeh vendosmërinë time të madhe dhe vullnetin për të bërë mirë, duke vënë të gjithë përvojën time në shërbim të një klubi të madh, që ka si objektiv absolut rikthimin protagonist në Itali dhe Europë”.

Nuk pati kohë as për të shijuar zyrtarizimin. Igli Tare është tashmë në punë. Gjatë ditës së djeshme, në “Casa Milan” u zhvillua një takim mes klubit kuqezi dhe Romës për të diskutuar të ardhmen e Alexis Saelemaekers, i cili vjen pas një sezoni pozitiv në kryeqytet. Në takim ishin të pranishëm drejtori i ri sportiv i Milanit, drejtori sportiv i Romës, Ghisolfi, dhe agjenti i lojtarit, Giuseppe Riso. Belgu ka qenë protagonist me fanellën verdhekuqe dhe Roma ka shprehur qartësisht dëshirën për ta mbajtur.

Verën e kaluar, Saelemaekers kaloi te verdhekuqtë në formë huazimi, me të drejtë blerjeje të fiksuar për 14 milionë euro, plus 3 milionë në formë bonusesh. Palët diskutuan për shifrat dhe format, me synimin e qartë për të arritur një zgjidhje përfundimtare në javët e ardhshme. Janë parashikuar takime të tjera, teksa e ardhmja e lojtarit belg mund të jetë një nga çështjet e para që do të zgjidhen nën drejtimin e Tares.